Kundër hartës së re gjyqësore, avokatët kundërshtojnë shkrirjen e gjykatës së Kurbinit: Diskriminim, do të rritet kriminaliteti
Ndërkohë që ka nisur puna për hartën e re gjyqësore, kanë nisur edhe reagimet e para kundër shkrirjes së disa gjykatave. Kështu avokatët e Kurbinit janë kundër vendimit që çon në shkrirjen e Gjykatës së këtij rrethi duke e quajtur këtë diskriminim.
Teksa diskutimet për hartën e re gjyqësore janë hapur, dhe pritet që Ministria e Drejtësisë të prezantojë variantin e vet, avokatët e Kurbinit janë kundër propozimeve për shkrirjen e gjykatës së këtij rrethi.
Avokatët thonë se propozime të tilla janë diskriminuese, ndërsa shumë institucione në Kurbin janë shkrirë tanimë.
"Diskriminim që i bëhet qytetit të Laçit dhe rrethit të Kurbinit.Jo vetëm jam kundër propozimit si jurist dhe avokat por gjithë populli i Kurbinit do jetë kundër."
"Pse duhet të jetosh në një qytet ku nuk ka asnjë lloj institucioni, asnjë lloj të drejte."
Ata thonë se shkrirja e gjykatës së këtij rrethi do të sjellë edhe pasoja të rrezikshme për zonën.
"Dihet si është zona jonë, është pak problematike dhe në lidhje me kriminalitetin. Në momentin që përhapet fjala se është shkrirë gjykata dhe prokuroria në Kurbin atëherë qytetarët do të thonë nuk ka gjykatë dhe prokurori dhe do të marrin nismat e shtimit të kriminalitetit."
Juristët kanë nisur përgatitjen e një dokumenti për të vënë në dijeni të gjitha institucionet për pasojat që do të sjellë shkrirja e Gjykatës së Kurbinit.
Zona e Kurbinit ka rreth 80 mijë banorë që marrin shërbime nga Gjykata e Shkallës së parë aty.