Dyshohet për korrupsion, Kancelari austriak Sebastian Kurz nën hetim
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, po hetohet nën dyshimet për dhënie të ryshfetit dhe keqpërdorim të fondeve.
‘The Guardian’, shkruan se prokurorët kanë deklaruar se autoritetet bastisën zyrat e partisë konservatore të Kurzi-t dhe disa ndihmësve kryesorë të tij.
Prokurorët thonë se Kurz dhe nëntë persona të tjerë, si dhe tre organizata, janë nën hetim mbi këtë çështje.
Dyshimet janë se, duke filluar nga viti 2016 kur Kurz ka qenë ministër i Jashtëm dhe më vonë kur është bërë kancelar, Ministria e Financave ka paguar reklama në një gazetë, në këmbim të sondazheve dhe mbulimit të favorshëm për të.
“Zyra e Prokurorëve për Çështjet Ekonomike dhe Korrupsionin ka vendosur nën hetime Sebastian Kurzin, nëntë të tjerë dhe tri organizata, nën dyshimet për shkelje të besimit, korrupsion dhe ryshfet”, tha përmes një deklarate kjo zyrë.
Kurz dhe Partia e tij Popullore (OVP) thanë se prapa hetimeve fshihen motive politike.
“Unë jam i bindur se këto akuza do të rezultojnë të rreme”, tha Kurz.

