Shpresa për koalicionin socialdemokrat në Gjermani
Të gjelbrit dhe liberalët e Gjermanisë vendosën të mërkurën të tentojnë krijimin e një koalicioni qeverisës me socialdemokratët, pa CDU-CSU-në.
Demokristianët e kancelares në ikje, Angela Merkel, negociuan ditë më parë me Partinë e Gjelbër për mundësinë e bashkëpunimit, por Analena Berbok, kryetarja e ambientalistëve, tha se dallimet mes palëve mbeten të thella për temat që lidhen me klimën, interesin social dhe integrimin europian.
"Pas këtyre bisedimeve u konsultuam dhe arritëm në konkluzionin se do të kishte më shumë kuptim t'i vijojmë negociatat me FDP-në dhe Partinë Socialdemokrate, pasi mes nesh gjejmë pika takimi."
FDP-ja është Partia e Demokratëve të Lirë e cila në zgjedhjet e fundit fitoi mbi 11 për qind të votave, rreth 15 për qind fituan të gjelbrit dhe gati 26 për qind të totalit morën socialdemokratët, duke ndarë bashkërisht rënien me rreth 9 për qind të grupimit në pushtet, CDU-CSU.
"E pranojmë propozimin për të gjetur me SPD-në pika të përbashkëta që ta çojmë vendin përpara. I propozova edhe zotit Olaf Sholc që të takohemi nesër," tha kreu i liberalëve, Kristian Linder.
Nga CDU-ja, Armin Lashet, shtoi se e respekton vendimin e rivalëve por edhe mbeten të hapur për bisedime të tjera.
Deri në shpalljen finale të koalicionit, do të jetë kancelarja Merkel që do të kujdeset për qeverinë të cilën ajo e drejton prej 16 vitesh.
