Mal i Zi/ Vetëdorëzohet autori që vrau 19-vjeçaren në shtëpinë e saj

Pas 4 ditësh në arrati, Ilir Gjokaj 28-vjeç, i dyshuar për vrasjen e ish-të fejuarës Shejla Bakija 19-vjeçe, u vetëdorëzua në polici pak pas mesnate, i shoqëruar nga avokati Srđan Lješković.

Mediet fqinje raportojnë se, Gjokaj u dorëzua pas pothuajse katër ditësh arratije. Ngjarja e rëndë u regjistrua të enjten e kaluar ku 28-vjeçari shkoi në banesën ku jetonte 19-vjeçarja dhe e qëlloi për vdekje me armë si dhe i plagosi rëndë babanë e saj në Karabuško Polje.

Prokurorja Ana Radoviq do ta marrë në pyetje gjatë ditës në Prokurorinë e Lartë të Shtetit, 28-vjeçarin që nga qytetarët në Malin e Zi është cilësuar si “përbindëshi”.

Për shkak të vrasjes brutale, e cila tronditi publikun malazez, të gjithë përfaqësuesit e partive politike reaguan, duke kërkuar nga autoritetet kompetente që autori të sillet para drejtësisë, por edhe të jenë më vigjilent në parandalimin e dhunës ndaj grave, në mënyrë që rastet e ngjashme të mos ndodhin ndodhë përsëri.

Me rastin e kësaj ngjarje një protestë qytetare u mbajt dje në Tuz, duke kërkuar nga Drejtoria e Policisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zëvendëskryeministri për Sigurinë Dritan Abazovic të fillojë një hetim urgjent për këtë rast të dhunës ndaj grave, i cili përfundoi në humbjen tragjike të jetës së 19-vjeçare, pavarësisht se dhuna u raportua në polici dhe gjyqësor.

I dyshuari Gjokaj ishte i njohur në polici që më parë, pasi më 25 gusht, Shejla e raportoi atë në polici për ngacmim.