Marrëveshja e Brukselit, nga sot fillon mbulimi i targave të Kosovës dhe Serbisë me letra
Të hënën nisi zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes për reciprocitetin mbi targat mes Kosovës e Serbisë. Të dyja vendet do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme. Opozita akuzon qeverinë Kurti se ka zyrtarizuar institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
Kosova dhe Serbia filluan të zbatojnë reciprocitetin për targat e automjeteve, sipas paktit të arritur në Bruksel.
Pas tërheqjes së njësive speciale, të hënën nisi të zbatohet pika e dytë e marrëveshjes që parashikon mbulimin me letër të simboleve shtetërore në targat e makinave të të dyja vendeve.
Policia e Kosovës njoftoi se pikat e kalimit po e zbatojnë masën pa vonesa dhe pa krijuar trafik në kufijtë përkatës.
Vendosja e letrave ngjitëse në targa pason mobilizimin e trupave të KFOR-it në afërsi të pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, dhe tërheqjen prej andej të protestuesve serbë që dolën kundër reciprocitetit të vendosur më 20 shtator.
Kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për portalin "Ekonomia Online", tha se reciprocitetin nuk e sheh si hakmarrje, por si parim të konceptit të barazisë.
"Reciprocitetin nuk e kem as për hakmarrje, por konsiderojmë që është parim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, nga koncepti i barazisë. Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabartë asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si Qeveri do të angazhohemi që në vijim të kemi reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësi në vend sa i përket raporteve tona, e në kuadër të këtij reciprociteti në qendër të jetë edhe njohja reciproke, pra dita kur Serbia e njeh Kosovën”.
Opozita në Kosovë e ka kritikuar marrëveshjen me Serbinë, duke thënë se po pranohet trajtimi ndryshe i veriut nga pjesa tjetër e vendit dhe dorëzimi i sovranitetit tek një palë e tretë.
Masa për mbulimin e targave në kufi do të jetë provizore derisa pala kosovare dhe serbe të mblidhet më 21 tetor për të dalë me një zgjidhje finale vitin tjetër.

