Vuçiç: Veç Serbisë, KFOR dhe NATO mbrojtja e vetme për serbët e veriut. Nuk i besoj Kosovës për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi sot në Dubai se është i kënaqur  nga tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak por edhe nga fakti që nuk u shoqërua me incidente.

"Serbët janë të kënaqur që ROSU u tërhoq. Ata pritën pothuajse deri në fund të afatit, por u larguan nga kalimet, dhe ju e patë entuziazmin e njerëzve në Bërnjak dheJarinje kur u larguan ROSU në veri,  aty ku nuk duhej të kishin ardhur", tha Vuçiç.

Në përputhje me marrëveshjen në Bruksel të disa ditëve më parë, Kosova tërhoqi forcat speciale nga veriu dhe Serbia kamionët.

Por ndërsa çështja e targave mori zgjidhje, edhe pse e përkohshme, Vuçiç nuk është kaq optimist për Asociacionin e Komunave me kompetenca ekzekutive.

“Nuk besoj se do e pranojnë Asociacionin. Nuk u besoj në asgjë sepse e di me kë kemi punë. Kurti ka thënë se Kosova e ka një problem të madh, që tashmë ka emër e mbiemër (Aleksandar Vuçiç). Nuk ka asnjë marrëveshje të lehtë për ne. S’ka asgjë të lehtë në Kosovë. Më 2008, ata shpallën pavarësinë dhe ajo njihet nga 90 për qind e shteteve të fuqishme. Që nga ajo kohë, mezi po e mbajmë hundën mbi ujë”, është shprehur ai.

Sipas tij, përveç shtetit të Serbisë, forcat e KFOR -it dhe NATO -s janë e vetmja mbrojtje e vërtetë e serbëve në Kosovë.

Deklaratës së gazetarëve se serbët nuk kishin shumë përfitime dhe mbrojtje nga KFOR -i, Vuçiç ju përgjigj duke thënë se serbët nuk e duan shumë KFOR -in për shkak të bombardimeve të NATO -s, por se kjo është mbrojtja e vetme për ta.