Të vdekurit jashtë listave, Kosova më 17 Tetor zgjedh krerët e komunave

Mijëra persona të vdekur dhe shtetas jo më kosovarë janë hequr nga lista e votuesve teksa Kosova përgatitet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Saktësimi i listës qe objektiv për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas garës parlamentare të këtij viti, shpjegon zëdhënësi Valmir Elezi.

“Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë dalë në teren dhe kanë verifikuar këto të dhëna," tha Elezi.

Sipas Elezit, për procesin e verifikimit ndihmuan zyrat komunale të gjendjes civile, bashkësitë fetare dhe përfaqësuesit e fshatrave.

“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale," shtoi Elezi.

Përveç të vdekurve, lista është shkurtuar edhe nga mbi 1 mijë individë që hoqën dorë nga nënshtetësia.

Në shtator KQZ-ja e Kosovës certifikoi listën përfundimtare të votuesve me gjithsej 1,885,448 persona, nga të cilët mbi 15 mijë të regjistruar jashtë vendit.

Në kushtet e pandemisë, ata do të shprehin qëndrimin politik për krerët e 38 komunave dhe për përbërjen e kuvendeve komunale të Kosovës./OraNews/