Serbia hap Qendër Biznesi në Dubai, Vuçiç: Ta përdorin edhe biznesmenët e Shqipërisë e Maqedonisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi sot se Evropa dhe bota po përballen me një krizë me pasoja të paparashikueshme, e cila kur vjen puna tek ekonomia, është më e rëndë se pandemia Covid 19, dhe kjo është kriza e energjisë.

Vuçiç theksoi se të gjithë në botë aktualisht heshtin për këtë çështje.

Presidenti i Serbisë theksoi se në të ardhmen do të jetë e vështirë të luftohet Azia, për shkak të çmimit të gazit dhe energjisë elektrike.

Në hapjen e qendrës së biznesit të Serbisë në Dubai, Aleksandër Vuçiç u tha zyrtarëve të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë se kjo qendër e cila u hap sot si pjesë e Ekspozitës më të madhe Botërore EXPO 2020 në Dubai, mund të përdoret edhe nga biznesmenët e tyre.

"Unë u bëj thirrje përfaqësuesve të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë që biznesmenët e tyre të përdorin hapësirën e qendrës së biznesit të Serbisë në Dubai, në mënyrë që ata të mund të ftojnë biznesmenë nga vendet e tyre për të folur me njerëzit e Emirateve dhe të tjerët sikur të ishin të tyre. Ne nuk kemi problem me këtë, "tha Vuçiç.