Aplikimi i dozës së tretë në Kosovë të nis nga viti i ardhshëm
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë u ka rekomanduar autoriteteve shtetërore për dhënie e dozës së tretë për grupe të caktuara. Ndërsa, si kohë optimale nga Ministria e Shëndetësisë për distribuimin e këtyre dozave ishte dhënë viti i ardhshëm.
Por në një përgjigje për KosovaPress nga ky dikaster kanë thënë se në kohën e duhur Kosova do të marrë vendimin për të nis aplikimin e dozës përforcuese.
Madje të njëjtit thonë se nuk do kenë telashe rreth dozave të nevojshme për grupet e caktuara.
“Kosova do ta marrë vendimin në kohën e duhur për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19, meqë ka filluar më vonë me procesin e vaksinimit, ndërsa nuk pritet të ketë probleme rreth dozave, meqë MSh ka një kontratë me kompaninë Pfizer për blerje të vaksinave kundër COVID-19 dhe ekipi negociues i ka parasysh nevojat për procesin e vaksinimit. Shtetet që kanë filluar ta aplikojnë dozën e tretë, e kanë bërë këtë vetëm për kategori të caktuara të popullatës, si të moshuarit, punëtorët e kujdesit shëndetësor apo kategori me imunitet të komprometuar”, thuhej në shkresën e MSh për KosovaPress.
Derisa imunizimi me dozën e tretë po bëhet në shumë vende të botës vetëm për grupet që kanë imunitet më të komprometuar, infektologu Iliri Tolaj thotë se doza përforcuese do jetë e nevojshme për të gjithë.
“Doza e tretë është e domosdoshme jo vetëm për kategoritë që kanë probleme shëndetësore kronike apo imunitet të dobët por me gjasë për të gjithë. Nuk është vonë viti i ardhshëm pavarësisht që niveli i antitrupave bie edhe pas dozës së dytë pas një periudhe por sërish imuniteti nuk është shuar i ploti në organizëm dhe rrjedhimisht me këtë të gjitha ata organizma që e kanë kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin pa janë vaksinuar me dy doza kanë një mbrojtje të mjaftueshme pavarësisht nivelit të antitrupave që ua garanton që eventualisht infeksionin e ri do ta kalojnë më lehtë dhe nuk do përfundojnë në spital apo kujdes intensive”, thotë Tolaj.