Kosovare Asllani dëmtohet me Realin dhe ngre zërin: Duhet të mbrohemi më shumë
Sulmuesja me origjinë shqiptare, ylli i Real Madrid, Kosovare Asllani është ndalur nga një dëmtim serioz në gju dhe ka reaguar në rrjetet sociale tepër e mërzitur.
Lojtarja shqiptare që përfaqëson Suedinë por që është një nga futbollistet më të mira në Spanjë dhe e Real Madridit, postoi një foto në rrjetet sociale ku tregon këmbën e saj të fashuar mirë nga dëmtimi teksa nuk u kursye në kritika.

“Fatkeqësisht do të jem jashtë fushave deri në Nëntor për shkak të një dëmtimi të ligamentit të gjurit që mora pas një ndërhyrje të rrezikshme. Mendimi im është se ne, lojtaret, duhet të jemi më të mbrojtura në fushë për të shmangur dëmtimet serioze nga duelet e rrezikshme. Jam e motivuar që të rikthehem sa më shpejt”.
Kosovare Asllani, sulmuesja e Real Madridit, në mesazhin e saj tregon të gjithë zemërimin por gjithsesi, ajo në Nëntor pritet të jetë gati e të rikthehet në kohë për ndeshjet ndaj ish ekipit të saj, PSG më 9 dhe 18 Nëntor.
