Tuchel: Kujdes Juven. Kante? Nuk detyroj asnjë lojtar të vaksinohet
Chelsea do të jetë nesër në fushë në një transfertë të vështirë ndaj Juventusit në “Allianz Stadium” ku do të përpiqen të harrojnë humbjen ndaj Man. City në Premier League.
Thomas Tuchel e pranon se bardhezinjtë kanë humbur diçka me largimin e Ronaldos por shton se janë skuadër e madhe që bëjnë mirë në këtë kompeticion.
“Juventusi ka përvojë, talent, një ekip të madh me një trajner cilësor. Ata kanë një ADN fituese, një mentalitet fitues, kjo është hera e parë që unë luaj kundër tyre, do të përballem me një ekip të nivelit tonë dhe këto sfida na bëjnë një ekip më të mirë. Ronaldo? Koha do të tregojë, por çdo skuadër pa portugezin është më e dobët . Kjo e dëshmon çdo herë që është në fushë, në Premier Ligë dhe Champions. Ata kanë humbur një kampion të madh, një personalitet të madh, por mund të jesh një ekip i madh dhe të fitosh edhe pa të”.
Një diskutim në konferencën për shtyp mori edhe çështja Ngolo Kante, me lojtarin që ka rezultuar me covid-19 dhe ka rindezur debatin pasi ai nuk është vaksinuar.
“Ne jemi në një reflektim të shoqërisë. Është liria e lojtarëve të zgjedhin nëse duan të vaksinohen apo jo. Ne duhet ta pranojmë atë, ajo që mund të themi është se situata është shumë larg përfundimit. Duhet të jemi të kujdesshëm, pandemia nuk ka përfunduar. A kam të drejtë të them atë që është e drejtë? I takon individëve të zgjedhin. Vaksina duket që është një mbrojtje korrekte dhe e drejtë. Unë jam i vaksinuar, por nuk jam në gjendje të bëj rekomandime. Unë jam trajner, nuk jam ekspert mjekësor. Unë mbështetem tek ata, këtu ata janë të rritur dhe ne jetojmë në një shoqëri të lirë. Njerëzit mund të bëjnë zgjedhje për të cilat janë përgjegjës. Mua nuk më pëlqen të humbas lojtarë, por nuk jam i zemëruar me N'Golo ", u shpreh trajneri gjerman./Ora News/.
