Minxhozi: Situata në veri shqetësuese, askush nga Shqipëria s'mund të komentojë vendimet e Kurtit
Vendosja e reciprocitetit të targave nga ana e Kosovës, për të gjitha makinat që hyjnë nga Serbia në territorin kosovar ka sjellë konflikt mes 2 shteteve, i cili vijon edhe sot në ditën e nëntë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se konflikti filloi pasi marrëveshja e firmosur në vitin 2011 u shkel nga ana e Serbisë.
Minxhozi: "Situata është shqetësuese. Zanafillën kjo situatë e ka që në vitin 2011 kur me një konsensus me kërkesë të Serbisë u dha një afat 5-vjeçar nga viti 2011-2016 që mjetet e Kosovës kur shkojnë në Serbi të marrin targa provizore serbe. Ky vendim u rishty nga viti 2016 deri në 15shtator të këtij viti. Pavarësisht se pala kosovare para se të skadojë afati ka njoftuar autoritetet serbe, ky njoftim nuk u mor parasysh që të kthehej normaliteti që mos ketë më targa të përkohshme, por të ketë targa të përhershme. Kjo situatë nuk u mor parasysh dhe filloi konflikti. Në gjithë këtë proces ka pasur veprime të dhunshme nga ana serbe, gjë e cila krijon një precedent të një konflikti të hapur."
Në lidhje me vizitën e kryeministrit Rama ditën e djeshme në Prishtinë, zoti minxhozi u shpreh se arsyeja nuk kishte të bënte me konfliktin në veri, por me bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Minxhozi: "Vizita e Ramës në Kosovë nuk kishte të bënte me vizitën në veri, por me një takim dypalësh me ministrat respektivë të Shqipërisë dhe Kosovës. Lidhur me veriun Rama ka bërë një deklaratë dhe ka dënuar dhunën nga ana e Serbisë. Gjatë mbledhjes nuk është përmendur fjala "Open Ballkan" dhe Serbi, por vetëm marrëdhëniet mes dy shteteve."
Ambasadori Minxhozi u shpreh se Kosova është në të drejtën e saj dhe askush nga Shqipëria nuk mund të marrë përsipër të komentojë vendimet e qeverisë Kurti.
Minxhozi: "Askush nga Shqipëria nuk mund ta marrë përsipër të komentojë vendimet e qeverisë së Kosovës. Sot është koha se si të gjendjet një zgjidhje e qëndrueshme se si ky konflikt me Kosovës dhe Serbisë të fashitet dhe njerëzit t'i kthehen normalitetit. Mendoj që konflikti atje është i nxitur nga segmente luftë-ndjellëse nga Beogradi sepse kur vjen puna te qytetari i thjeshtë ai ka mundësi për të kaluar edhe në rrugë të tjera. Prandaj dhe faktorët ndërkombëtarë po përpiqen për eleminimin e konfliktit. Gjithsesi Kosova është në të drejtën e saj."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
