Ministri i Kosovës: Serbët refuzuan ofertën e komandantit të KFOR-it

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka ritheksuar edhe sot se angazhimi i Njësisë Speciale nuk është i drejtuar ndaj rrezikimit të interesave të qytetarëve, por për të mbrojtur pikat kufitare dhe personelin që shërben aty.

Sveçla në konferencë për media tha se pas vendosjes së barrikadave është ashpërsuar retorika e autoriteteve serbe dhe strukturave paralele, që, siç tha ai, kanë portretizuar angazhimin e Njësisë Speciale si represion për ta.

Ai foli edhe për ofertën që KFOR-i ka bërë për t’u larguar Njësia Speciale, ofertë kjo që është pranuar nga autoritetet kosovare, por është refuzuar nga banorët serbë, e që sipas tij ky refuzim ka shpërfaqur qëllimin e tyre të vërtetë, se ata kanë qëllime të tjera politike me bllokimin e rrugëve në Jarinjë dhe Bërnjak.

“KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe sigurimin e pikave kufitare me forca shtesë, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë Speciale është e panevojshme, por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta kanë dëshmuar se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë Speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla në konferencën për media me homologun austriak Karl Nehammer, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ndërkohë të  mërkurën në Bruksel është planifikuar vazhdimi i dialogut mes negociatorëve nga Kosova dhe Serbia.

Delegacionin kosovar do e udhëheqë zv.kryeministri Besnik Bislimi, ndërsa në kryeqytetin belg do të udhëtojë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, por jo si pjesëmarrës në takimin e përbashkët.

Përshkallëzimet në veri të Kosovës nisën nëntë ditë më parë nga vendosja e reciprocitetit për targat e përkohshme të automjeteve, siç vepronte Serbia.

Forcat e Armatosura Ndërkombëtare po e patrullojnë për të garantuar sigurinë, teksa avionë e helikopterë serbë fluturojnë mbi zonën kufitare.

Bekë Berisha, kryetari i komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, kërkoi të martën që qeveria të mos zmbrapset nga vendimi i saj dhe që policia të mos bjerë pre e provokimeve.

"Demonstrimet në kufi nga forcat serbe nuk e trembin asnjë kosovarë. Kosova ka rini dhe njerëz atdhedashës që i dalin zot vendit sa herë që ka nevojë. Qeveria duhet të jetë e vendosur dhe të mos bie pre e provokimeve të serbëve në veri, provokime këto që janë të projektuara në Beograd dhe Moskë. Qeveria e Republikës te Kosovës duhet të jetë e vendosur në mbrojtjen e qenësisë së saj."