Nëntë ditë bllokadë në kufirin Kosovë-Serbi / Deputetët e Parlamentit Europian apelojnë për heqjen e njësive speciale

Ka hyrë në ditën e 9-të bllokimi i rrugëve në veri që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Disa eurodeputetë kanë bërë thirrje për zgjidhje paqësore mbi situatën. Dialogu mes dy fqinjëve rifillon të mërkurën në Bruksel.

Ndërkombëtarët po shtojnë presionin ndaj Prishtinës dhe Beogradit për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Deputetët e Parlamentit Europian apeluan të martën dy fqinjët të tërheqin njësitë speciale të policisë, ushtritë dhe të ulin barrikadat që pengojnë kalimin në kufijtë e Jarinjës dhe Bërnjakut.

"Duhet të ndalen veprimet, provokimet e njëanshme dhe retorika që nxit tensione dhe ndikon te mirëqenia e komuniteteve lokale. Duhet përdorur platforma për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet, edhe ato që lidhen me lirinë e lëvizjes," bëri thirrje raportuesja për Kosovën, Viola fon Kramon, bashkë me kolegët e saj.

Të mërkurën në Bruksel është planifikuar vazhdimi i dialogut mes negociatorëve nga Kosova dhe Serbia.

Delegacionin kosovar do e udhëheqë zv.kryeministri Besnik Bislimi, ndërsa në kryeqytetin belg do të udhëtojë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, por jo si pjesëmarrës në takimin e përbashkët.

Përshkallëzimet në veri të Kosovës nisën nëntë ditë më parë nga vendosja e reciprocitetit për targat e përkohshme të automjeteve, siç vepronte Serbia.

Forcat e Armatosura Ndërkombëtare po e patrullojnë për të garantuar sigurinë, teksa avionë e helikopterë serbë fluturojnë mbi zonën kufitare.

Bekë Berisha, kryetari i komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, kërkoi të martën që qeveria të mos zmbrapset nga vendimi i saj dhe që policia të mos bjerë pre e provokimeve.

"Demonstrimet në kufi nga forcat serbe nuk e trembin asnjë kosovarë. Kosova ka rini dhe njerëz atdhedashës që i dalin zot vendit sa herë që ka nevojë. Qeveria duhet të jetë e vendosur dhe të mos bie pre e provokimeve të serbëve në veri, provokime këto që janë të projektuara në Beograd dhe Moskë. Qeveria e Republikës te Kosovës duhet të jetë e vendosur në mbrojtjen e qenësisë së saj."