Yuri Kim nga SHBA direkt në PD: Me Bashën ndava atë që mësova në Uashington. PD drejt fitores pa Berishën
Dy muaj pasi ambasadorja e SHBA i dha ultimatum kryetarit të PD Lulzim Basha për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, Yuri Kim është kthyer në selinë e PD. Pas 40 minutash nga takimi kokë më kokë diplomatja amerikane zbuloi një pjesë të bisedës
"Ndava me kryetarin Basha që Washingtoni mbetet i angazhuar për të punuar më ngushtësisht me PD-në," tha ambasadorja.
Sipas ambasadores Kim pas largimit të Berishës nga grupi PD do dalë më e fortë.
"PD ndodhet tani në një pozitë të vështirë, është në një proces tranzicioni, por vërtet shpresojmë se do të dalë më e fortë dhe më e bashkuar dhe do të jetë në pozitë të rikthehet përsëri, të fitojë përsëri zgjedhjet.
Ka punë për tu bërë sa i takon reformës territoriale e kundër korrupsionit. E gjithë kjo kërkon një PD që është e fortë e bashkuar e të bëjë përpara por nuk mund të bëjë përpara nëse njëra këmbë ka ngelur në të shkuarën" tha Kim.
Një mesazh të posaçëm ambasadorja amerikane kishte edhe për ata që mendojnë se Shqipëria ka humbur pjesë të autonomisë.
"Kam parë gjithashtu disa raporte shqetësuese që ajo që ka ndodhur me përcaktimin për raste madhore të korrupsionit ka qenë një sulm kundër stabilitetit të Shqipërisë. Në fakt është e gabuar dhe është ofenduese dhe në fakt do doja t'ju kujtoja të gjithëve që në 6 maj të 1920 kur e gjithë bota donte që Shqipëria të shuhej nga faqja e dheut, Presidenti Willson ishte ai që tha që Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë, do të vazhdojë më e fortë. Atyre që synojnë të vendosin SHBA kundër popullit shqiptar do t'i them që e keni gabim," tha Kim.
Lulzim Basha deklaroi në 9 shtator një ditë para seancës së parë Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar Berishën duke e cilësuar një vendim personal. Pas kësaj kreu i PD kërkoi reformë territorial, reformë zgjedhore dhe rishikim të kushtetutës.
