Mësim mes zhurmës së lavazhit, nxënësit: Bizneset afër shkollës “Drita Pelinku” na ngushtuan rrugën
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Drita Pelinku” në Tiranë po përballen me vështirësi në procesin mësimor për shkak të aktiviteteve private si lavazh e parking, të cilat kanë ngushtuar edhe rrugën e kalimit pranë institucionit arsimor. Ata thonë se zhurma arrin deri në klasa, ndërkohë që ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
Kjo është rruga e vetme që të dërgon te shkolla 9-vjeçare “Drita Pelinku” në Tiranë.
Në të dy krahët e rrugës ka biznese të tilla si lavazh dhe parking.
Fëmijët që mësojnë këtu shprehen të shqetësuar nga zhurma që krijohet në zonë dhe rruga e ngushtë.
Nxënësit thonë se zhurmat mbërrijnë deri në klasa, duke i penguar në zhvillimin e mësimit.
"Zhurma, vijnë makinat dhe bëjnë shumë zhurmë," shprehet një nxënës.
"Po është shqetësuese," thotë një tjetër.
Rruga që përshkruajnë për të shkuar në shkollë është shumë e ngushtë, aq sa kur bie zilja nuk ka hapësirë të mjaftueshme për kalimin e nxënësve.
"Kemi lavazhin këtu, është hyrja e shkollës. Duhet të jemi rehat të hyjmë si njerëz normalë. Kur dalim jemi shumë persona dhe shtyhemi me njëri-tjetrin," thotë nxënësja.
"Është shumë ngushtë," thotë një tjetër.
Nxënësit thonë se janë ankuar për këtë situatë, por mesa duket shqetësimi i tyre nuk është përçuar deri tek instancat vendimmarrëse./OraNews/

