Paralajmërimi i OKB për krizën klimatike: Bota duhet të zgjohet

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, e ka hapur Asamblenë e Përgjithshme me një thirrje për aksion botëror ndaj krizave të shumta që përball i gjithë planeti.

Liderët më të fuqishëm të botës dhanë të martën mesazhe solidariteti për pandeminë dhe klimën.

Luftërat, kriza klimatike dhe pandemia ishin temat që hapën të martën siparin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi prej fillimit se bota nuk ka më kohë të humbasë, por i duhet të gjejë paqen, të luftojë për klimën, të ngushtojë hendekun mes të varfërve dhe të pasurve, hendekun gjinor, atë digjital dhe mes brezave.

"Nga këtu po jam alarmin: Bota duhet të zgjohet. Jemi në cepin e një gremine dhe po lëvizim në drejtim të gabuar. Kurrë më parë bota nuk ka qenë kaq e rrezikuar, kaq e ndarë."

Në ditën e parë të Asamblesë, presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për një epokë të re uniteti global kundër koronavirusit, ndryshimeve klimatike, kërcënimeve teknologjike dhe influencës që sa vjen e zmadhohet të vendeve autokratike, si Kina dhe Rusia.

"Do qëndrojmë krah aleatëve dhe vendet mike kundër më të fortëve që dominojnë më të dobëtit, qoftë me ndryshim territoresh me forcë, me trysni ekonomike ose me keqinformim. Por nuk kërkojmë një Luftë të re të Ftohtë, as një botë të ndarë në blloqe."

Biden e vuri theksin te vlerat demokratike dhe mori përgjigjen e homologut kinez, Shi Xhinping.

"Një botë në paqe dhe e zhvilluar duhet të përqafojë qytetërime e ndryshme dhe t'i mirëpresë rrugët e ndryshme që ndiqen drejt modernizimit. Demokracia nuk është një e drejtë e veçantë që i rezervohet një shteti të caktuar, por e drejtë që gjithë popujt e gëzojnë."

Liderët e dy vendeve me të fuqishme në botë ranë dakord të mbështetin nismat globale për luftën ndaj koronavirusit dhe krizës klimatike.

Asambleja e OKB-së vazhdon deri më 27 shtator dhe ka si pjesëmarrës mbi 100 liderë nga e gjithë bota.