Tërmeti i fortë 5.8 Rihter godet Australinë

Një tërmet me magnitudë 5.8 Rihter  ka tronditur Australinë juglindore, duke dëmtuar ndërtesat në qytetin e Melburnit.

Tërmeti ndodhi rreth orës 09:15 me orën lokale të mërkurën në Mansfield. Kryeministri Scott Morrison tha "nuk kemi pasur raporte për lëndime të rënda dhe ky është një lajm i mirë".

BBC raporton se tërmeti  u pasua nga dy lëkundje të tjera me magnitudë 4.0 dhe 3.1 Rihter.

Ndërsa ky është një nga tërmetet më të mëdhenj të Australisë vitet e fundit, nuk duket se ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Duke folur nga SHBA, Morrison vuri në dukje se tërmetet janë  të rralla në Australi dhe për këtë arsye "mund të jenë një ngjarje shumë, shumë shqetësuese".

Shërbimi i Emergjencave të Shtetit të Victoria paralajmëroi banorët të jenë vigjilentë për tronditje të mundshme.

"Nëse ndodheni në Victoria, jeni në rrezik. Pritni goditje të tjera, qëndroni larg ndërtesave të dëmtuara dhe rreziqeve të tjera. Shmangni vozitjen, përveç rasteve emergjente," thanë autoritete vendase.