Përplasje për vaksinën e Covid, Akademia e Shkencave rekomandon dozën e tretë, Ministria kundër

Akademia e Shkencave rekomandon dozën e tretë të vaksinës anti-Covid për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike por zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, nuk e mbështet këtë ide. Në prezantimin e studimit të fundit për pandeminë në vend, akademikët thanë se muajt e ardhshëm pritet rritje e numrit të vdekjeve në spitale por edhe e transmetueshmërisë.

Akademia e Shkencave paralajmëron rritjen e vdekshmërisë dhe të transmetueshmërisë së koronavirusit  në vend gjatë sezonit vjeshtë dimër.

"Shumica e shqiptarëve janë të pavaksinuar dhe grumbullimi në spitale sjell përhapje më të madhe të sëmundshmërisë. Në javët e ardhshme nëse vijojmë me të njëjtat shifra do kemi rritje të të shtruave në spitale dhe vdekshmëri më të lartë".

Referuar studimit të fundit të kryer nga Akademia, vaksinimi është mjeti kryesor i imunizimit që deri tani llogaritet në 73.3 për qind, sipas të dhënave nga qendrat shëndetësore të Tiranës.

Për këtë arësye autorët e studimit rekomandojnë vaksinimin masiv të popullatës, pasi të paktën 500 mijë  shqiptarë nuk kanë asnjë lloj mbrojtje ndaj virusit.

Për të parandaluar riinfektimin e personave të vaksinuar, Akademia e Shkencave rekomandon dhe kryerjen e një dozë tjetër përforcuese për personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje shoqëruese dhe të rinjve mbi 12 vjeç.

"Të nisin planifikimet për vaksinimin e të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratuara për këto mosha. Siç sugjerojnë të dhënat e fundit shkencore, një dozë e vetme vaksine në këto mosha duhet të jetë e mjaftueshme për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 nëpër klasat shkollore".

Por ky rekomandim i Akademisë, nuk mori miratimin e përfaqësuesve të qeverisë, pasi zëvendësministrja e Shëndetësisë Rakacolli tha se kjo çështje ka shumë debate dhe duhet të trajtohet në Komitetin e Ekspertëve për të dalë në një përfundim unanim.

"Mbi 6 muaj kemi ulje të antitrupave, e cila mund të shoqërohet me ulje të përgjigjes imunitare ndaj rekomandohet doza e tretë, e cila në Izrael ka treguar se ka efekt".

Ndërkohë, sipas Akademisë së Shkencave përzierja e vaksinave mund të jetë përforcuese për imunitetin.

"Ata që kanë bërë vaksina AstraZeneca dhe dozën e dytë Pfizer kanë pasur përgjigje më të mirë se sa po të bëhet e njëjta vaksinë. Nuk duhet të jemi strikt me një vaksinë bazë, mund ti alternojmë, pritja është e dëmshme".

Akademikët vlerësojnë se është e domosdoshme që gratë shtatzëna të vaksinohen 3 muaj, pas lindjes pasi nuk janë të mbrojtura nga virusi.