"Rama 3": Vijnë helikopterët Black Hawk", Instalohet radari i Midës, investim 22 mln euro
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u ndal në terma më konkretë sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes.
Ai u shpreh se bashkëpunimi ka prekur të gjithë nënsektorët e mbrojtjes duke shtuar se modernizimi bashkëkohor me pajisje moderne amerikane është prezent në çdo strukturë të forcave të armatosura.
Peleshi: "Duhet ta risjellim në vëmendjen tonë se SHBA është për ne një aleat në NATO dhe partner strategjik special. Në fushën e mbrojtjes bashkëpunimi ka prekur të gjitha nënsektorët, fushat, hapësirën e sigurisë dhe mbrojtjes me projekte bashkëpunimi të rëndësishme në pajisje, trajnim edukim deri në stërvitje të përbashkëta si Defender 21. "
Ministri u shpreh se Shqipëria ka pozicion të rëndësishëm strategjik për t'u bërë pritëse e stërvitjeve të rëndësishme ashtu siç ishte Defender 21. Peleshi bëri me dije se është realizuar kontrata për ardhjen e helikopterëve Black Hawk në vendin tonë. Gjithashtu do të bëhet instalimi i radarit të Midës në bashkëpunim me SHBA.
Peleshi: "Lajmi më i mirë është se ne jemi në rrugë të mbarë për të qenë vendi pritës i stërvitjeve të tjera që do të zhvillohen një herë në 2 vjet në vendin tonë. Kjo stërvitje solli edhe një mesazh të rëndësishëm për të ardhmen dhe rëndësinë që Shqipëria ka në rajon. Jam krenar dhe e them me plot gojë që bashkëpunimi dhe modernizmimi bashkëkohor me pajisje amerikane është prezent në çdo strukturë të forcave tona të armatosura, si në forcën tokësore në kompletimin e grup-batalionit të këmbësorisë të lehtë me mjete të blinduara, radio-komunikimin, avion pa pilot si dhe në forcën ajrore me helikopterë Black Hawk të cilët do të vijnë në shpejti në vendin tonë, është realizuar kontrata. Ngritja dhe instalimi i radarit të Midës me gjigantin amerikan të mbrojtjes " Lockheed Martin", investim rreth 22 milionë euro, sistem i cili është planifikuar të jetë i integruar dhe sistemin e komandim-kontrollit të NATO-s në periudhën 2022-2025.
Do vazhdojmë me forcën detare deri në bashkëpunimin dhe synimin e krijimit të qendrës së mbrojtjes kibernetike. Kemi ende shumë punë për t'u bërë për t'u ngritur në nivelin ku sfidat e kohës na kërkojnë të jemi."/OraNews/
