Kukës/ Mbyllet shkolla e ndërtuar pas viteve 90, ka dëmtime në strukturë

Shkolla 9 vjeçare “Riza Spahiu” në Kukës nuk do të hapet më 27 Shtator për më shumë se 470 nxënësit që mësojnë aty.

Objekti i ndërtuar pas viteve 1990 ka pësuar dëmtime serioze në strukturë, të dyshuara për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.

Në këto kushte është vendosur të qëndrojë e mbyllur derisa ti nënshtrohet ndërhyrje përforcuese.

"Ka një dëmtim në pjesën e strukturave të kolonave të shkollës. Ky konstatim na është bërë me dije nga ana e drejtorisë të shkollës. Ne ia deleguam Institutit të Ndërtimit në Tiranë, duke qenë se është objekt i kategorisë të veçantë."

Drejtorja e Shkollës thotë se procesi mësimor plotësues do të kalojë online, ndërsa për vitin e ri shkollor, nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër!

"Përkohësisht është pezulluar mësimi deri në rikonstruktimin e kolonave të shkollës.  Ne si drejtori e shkollës kemi bërë shkresën  përcjellëse për në ZVA.

Kemi kërkuar që pjes e mësimit plotësues të kalojë online. Është me dëshirë ashtu siç e ka thënë ministrja. Në bashkëpunim me ZVA dhe bashkinë do të gjejmë ose një objekt, nëse deri më datë 27 që përkon me fillimin e vitit të ri shkollor nuk do jenë të rregulluara."

Përfaqësues të Bashkisë së Kukësit, thonë se po bëjnë gati projektin për ndërhyrjet përforcuese në strukturën e Godinës, por ajo nuk mund të bëhet gati të presë nxënësit për një kohë të shpejtë!