Testi i parë/ "Rama 3" i kërkon opozitës votën për ndryshimin e Kushtetutës

Shumë shpejt do të jetë testi i bashkëpunimit me opozitën.

Maxhoranca do të kërkojë zgjatjen e mandatit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë. Për këta dy struktura mandati përfundon në 17 qershor 2022 dhe për të zgjatur mandatin deri në përfundim të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, duhen bërë ndryshime në Kushtetutë.

Ish kreu i Komisionit të Ligjeve i dekretuar në qeverinë "Rama 3" si ministër i Drejtësisë tha se ishte në komunikim të vazhdueshëm edhe me SHBA e BE-në për këtë.

"Do të kërkojmë konsensusin e opozitës që mandati i KPK dhe komisionerëve publikë të zgjatet deri në përfundim të procesit të vetingut. Pra deri në vetimin e plotë të të gjitha subjekteve të shortuara për tiu nënshtruar këtij vlerësimi.

Ky është mandat kushtetues dhe zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Ne nuk kemi votat e nevojshme për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe zgjatur mandatin e KPK dhe Komisionerit Publik, por do të kërkojmë konsensusin e opozitës sepse për ne mbarimi me sukses i vetingut është garanci për të pasur një sistem të drejtë në Shqipëri” tha Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja sot në Kuvend ku pritet të bëhet votëbesimi i qeverisë "Rama 3".

Ministri Ulsi Manja tha se për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi dhe ruajtur standardet janë në komunikim të vazhdueshëm me SHBA e BE-në që ky proces të zgjatet deri në fund

Nga 801 subjekte për tu vlerësuar 431 subjekte të vetuara mbeten në proces 370 subjekte.

Këto dy komisione kanë mandat 5 vjeçar. Sipas Kushtetutës më pas rolin e KPK do ta luajë KLGj e KLP, ndërsa të komisionerit publik, kreu i SPAK.