24 orë “luftë” për minatorin e bllokuar në Bulqizë, mësohen detaje mbi dinamikën e aksidentit
Prej më shumë se 24 orësh, Muharrem Plaku, me profesion teknik është bllokuar në një nga galeritë e zonës D në minierën e Bulqizës.
Prej mesditës të së mërkurës, pranë minierës vijon një operacion kërkim shpëtimi.
Por ndërhyrja nga Grupi i Avari Shpëtimit dhe specialistë të Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave është e vështirë dhe komplekse.
Nga 61 vjeçari nuk ka asgjë gjurmë, ndërsa çdo minutë që kalon e bën edhe më të paqartë fatin e Muharrem Plakut në thellësitë e minierës.
Detaje të reja ndërkohë janë mësuar mbi dinamikën e aksidentit nëntokë.
61 vjeçari Muharrem Plaku mësohet ishte duke bërë gati frontin e punës për minatorët për shfrytëzimin e kromit, por dyshohet se një masiv i madh inertesh e ka bllokuar.
Kolegët arritën të dalin me dëmtime të lehta, ndërsa 61 vjeçari mbeti i bllokuar nëntokë.
Burime pranë Autoritetit Kombëtar të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera bëjnë të ditur se shembja ka qenë pingule në një gjatësi mbi 25 metra.
Kjo sipas tyre faktohet nga materiali i rënë i cili është pothuajse i njëjtë me atë të sipërfaqes së tokës.
Aksidenti sipas burimeve është shënuar në galeritë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, me aksionar ish-kryebashkiakun e Bulqizës Myfit Duriçi dhe vëllezëve të tij Ilber e Kapllan Durici, ku ky I fundit rezulton administrator.
Asnjë prej tyre nuk ka komentuar mbi ngjarjen.
Në vendin e ngjarjes janë drejtues të AKSEM dhe policia e Bulqizës.
Ndërkohë kolegët e 61 vjeçarit që dyshohet të jetë bllokuar në nëntokë po punojnë me nxjerrje të materialit shkëmbor.
2 minatorë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur nga aksidentet në 7 muajt e këtij viti në Minierat e Qarkut të Dibrës.
Vitin e shkoi 5 minatorë humbën jetën dhe 28 të tjerë u plagosën.
