Apeli në Tiranë miraton ekstradimin në SHBA të Leksi Vulaj, i kërkuar për tregtim të 10 kg kokainë

Drejtësia shqiptare ka aprovuar ekstradimin e një shtetasi të kërkuar në SHBA për trafik kokaine. Gjykata e Apelit në Tiranë ka dhënë aprovimin që Aleksandër Vulaj të përballet me drejtësinë amerikane pas arrestimit në 31 gusht të këtij viti teksa hynte në vendin tonë nga Mali i Zi.

Gjykata e Apelit Tiranë, ka miratuar sot ekstradimin drejtim Shqipërisë, Leksi ose Aleksandër Vulaj, shqiptaro-Malazezit të arrestuar në 31 gusht 2021 në pikën kufitare në Grabom të Malësisë së Madhe.

Njeriu që qëndronte në Shqipëri, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkohet për trafikim dhe tregtim të lëndëve narkotike e pastrim parash.

Vendimi për ekstradimin e Aleksandër Vulaj është marrë ditën e sotme (16 shtator) nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës dhe autoriteteve të Drejtësisë Amerikane për dorëzimin e tij në SHBA. 

Gjatë arrestimit në Shkodër, shqiptarit mësohet se i është sekuestruar makina tip "Audi" dhe 50 mijë euro Cash.

Sipas autoriteteve amerikane Vulaj akuzohet se drejtonte shpërndarjen e drogës në Michigan. Ai dyshohet se organizoi dërgesën dhe dorëzimin e 10 kilogramëve kokainë në këtë distrikt që u zbulua nga agjentet e DEA-s.

Ndaj Vulaj ishte firmosur një mandat-arresti nga drejtësia amerikane, e cila më 9 qershor të vitit 2021 ka caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

41-vjeçari qëndronte në Mal të Zi dhe Gjykata atje e ka pasur të pamundur ekstradimin për shkak të mungesës së një marrëveshje të tillë me SHBA-të.

Më pas, Vulaj arriti të lëvizte krejt lirshëm për të hyrë në Shqipëri. Nisur nga ky informacion i marrë nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, policia e shtetit në bashkëpunim edhe me oficerët e kontaktit në ambasadë, organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e tij.

Neutralizimi i tij u bë në rrugën Tamarë-Hani i Hotit, në kuadër të operacionit “Detroit”, pas një pune hetimore që zgjati më shumë se një muaj. Pas arrestimit të tij, tashmë është Gjykata e Apelit në Tiranë, që ka vendosur ekstradimin e Leksi Vulaj në drejtim të Michiganit.