GJKKO i kthen SPAK dosjen për Fatos Lulon: Heto më shumë ish-gjyqtarin e Kushtetueses
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka kthyer për hetim në SPAK dosjen për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.
Vendimi është shpallur ditën e sotme (16 shtator) nga gjyqtari Erjon Cela i cili refuzoi të hapë procesin duke rrëzuar kështu edhe kërkesën e SPAK që e kishte paraqitur dosjen për gjykim.
Në vendimin e tij gjyqtari Erjon Cela i ka kërkuar prokurorisë së posaçme, SPAK të kryejë veprime hetimore shtesë për çështjen e pasurisë së ish-gjyqtarit.
Më 3 gusht të këtij viti SPAK deklaroi dërgimin në gjyq të dosje së ish-gjyqtarit Fatos Lulo i cili akuzohej se kishte kryer deklarim të rremë të pasurisë duke fshehur disa prej aseteve që ka pasur ndër vite në zotërim.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi më 23 mars 2018 nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo.
Lulo nuk e justifikonte pasurinë e deklaruar mes të cilave flitej dhe për një shumë 480 mijë dollarë kanadeze.
