Furgoni përplas për vdekje të moshuarën në aksin Lushnje-Berat, po shkonte te tokat
Një e vdekur dhe një fëmijë i plagosur është bilanci i dy aksidenteve të rënda të shënuara këtë të mërkurë në Lushnje dhe Lezhë.
Një këmbësore mbeti viktimë e një aksidenti në aksin nacional Lushnje-Berat në dalje të fshatit Karbunarë.
Gruaja, rreth 70 vjeçe, tentoi të kalojë rrugën për të shkuar drejt tokave bujqësore të familjes, kur u godit nga një furgon.
Goditja ka qenë e fortë e për pasojë e moshuara përfundoi në një kanal.
Ajo u dërgua me ugjencë drejt spitalit të Lushnjes, po ndërroi jetë rrugës për shkak të plagëve të rënda, ndërsa shoferi u ndalua.
Aksidente të ngjashme kanë qenë të vazhdueshme në aksin Lushnje-Berat, pasi fermerët nuk përdorin mbi ose nën kalimet për të shkuar drejt tokave të bujqësore.
Një fëmijë mbeti i plagosur ndërkohë pas përplasjes së një autobusi me një trajler në superstraden Lezhë-Milot.
Autobusi u godit nga pas nga trajleri dhe përfundoi jashtë rruge.
Fëmija mori trajtim mjekësor në spitalin e Lezhës, nga ku burime bëjnë me dije se nuk ka asnjë rrezik për jetën.
Ndërkohë fatmirësisht pasagjerët e tjerë, të cilët ishin në autobusin që po vinte në drejtim të Lezhës, nuk morën lëndime. Ndërsa dy shoferët u shoqëruan për sqarimin e shkaqeve të përplasjes.
Aksidenti krijoi për disa minuta trafik të rënduar përgjatë superstradës dhe u desh ndërhyrja e policisë rrugore për normalizimin e lëvizjes.
