Kapen kultivues e trafikantë “bari”, trafik me skaf në Pogradec, zbulohet parcela në Konispol

Një rast i kultivimit i kanabisit është zbuluar në Vrinë të Konispolit, ku katër persona u vunë në pranga. Organizator e financues, ishte një 62- vjeçar i dënuar me parë për të njëjtën veprimtari. Në Pogradec ndërkohë u rikthyen tentativat e trafikimit të drogës me skaf përmes liqenit të Ohrit drejt Maqedonisë së Veriut.

Një 62-vjeçar i dënuar më parë, i ishte rikthyer veprimtarisë kriminale si organizator dhe financues i kultivimit të bimëve narkotike.

Dashnor Alushaj, i njohur si PAPI, bashkë me katër persona të tjerë kishin hapur një parcelë ku rrinis kanabis sativa në fshatin Vrinë të Konispolit.

Por veprimtaria ishte zbuluar nga policia e Sarandës.

Dashnor Alushaj, Gramoz Breshanaj, Ermir Indrisllari dhe Esmeraldo Alushaj përfunduan në prangat e policisë.

Të arrestuarit

Dashnor Alushaj (Papi), 62 vjeç

Gramoz Breshanaj, 34 vjeç

Ermir Indrisllari, 30 vjeç

Esmeraldo Alushaj, 19 vjeç

Ndërsa një 30-vjeçar arriti ti shpëtojë arrestimit dhe tashmë është shpallur në kërkim.

Policia e Vlorës në njoftimin zyrtar nuk e bën të ditur numrin e bimëve narkotike që ata kishin kultivuar, por burimet thonë se ishin rreth 200 rrënjë kanabis sativa, të cilat u asgjesuan të gjitha me djegie.

Ndërkohë në Pogradec u godit një tentativë e trafikimit të lëndëve narkotike.

Një skaf i mbushur me drogë, që kishte si destinacion Maqedoninë e Veriut, u ndalua në Liqenin e Ohrit.

Brenda mjetit lundrues u gjetën 38 kg kanabis e ndarë ne pako të mbështjella me natriban.

Në pranga ranë shtetasit Orestis Spirollari, 31 vjeç, dhe Kleanth Dokollari, 22 vjeç.

Gjithashtu u shpall në kërkim një 20-vjeçar, si edhe po hetohet në gjendje të lirë një 31-vjeçare për “Moskallëzim krimi”.

Goditja e tentativës së trafikut ishte vijim i operacionit Hudënishti, në  kuadër të të cilit më herët në gusht u arrestuan 2 persona dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim, pasi u kapën 23 kg kanabis.