“Vrava dy motrat për xhelozi”, përfundojnë hetimet për Përparim Ademin, rrezikon burgim të përjetshëm
Prokuroria i ka dhënë fund hetimit për 60-vjeçarin e akuzuar si ekzekutor i dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi 9 muaj më parë në Tiranë. Sipas akuzës, Përparim Ademi, i cili rrezikon burgimin e përjetshëm, e ka kryer me vetëdije krimin ndërsa ka pranuar se shkak ka qenë xhelozia pasi ka pasur marrëdhënie me dy viktimat.
Autori i vrasjes së dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi nëntë muaj më parë në Tiranë rrezikon burgim të përjetshëm.
60-vjeçari, Përparim Ademi, pritet të dërgohet në gjyq me akuzën për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, ndërsa vonesa e Prokurorisë për përfundimin e hetimeve, erdhi pasi pritej përgjigja e aktekspertimit psiqik të të pandehurit, i cili rezultoi i shëndoshë mendërisht.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e ndërrimit të viteve në rrugën "Bajram Tushi", në zonën e Astirit në Tiranë.
Në momentin e vrasjes të pranishëm kanë qenë edhe dy të miturit 15 dhe 16 vjeç, fëmijët e Zhanetës.
Para grupit hetimor, Ademi ka pranuar se e ka kryer krimin për shkak të xhelozisë dhe se kishte lidhje me dy motrat, të cilat i vrau me breshëri plumbash.
Mësohet se Ademi ka patur marrëdhënie jashtëmartesore fillimisht me Kristinën, shumë vite më parë, ndërsa pas ndarjes Ademi është lidhur me motrën tjetër, Zhanetën.
Në dosje thuhet se Përparim Ademi përpara se të ngjitej në apartamentin e dy motrave, ka marrë njërin nga fëmijët e tyre, i cili po luante poshtë pallatit, duke e përdorur si karrem për të hyrë brenda.
Dy motrat Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani kanë qenë duke ngrënë bukë.
Në momentin që është hapur dera dhe motrat kanë parë që është pikërisht ai, kanë tentuar të mbyllin derën.
Menjëherë 59-vjeçari Përparim Ademi ka hapur zjarr, fillimisht në derë dhe pastaj në drejtim të motrave, të cilat kanë qenë të shtrira.
Pasi ka kryer krimin, 59-vjeçari ka qëlluar nëpër muret e banesës, më pas ka lënë armën tip automatik dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
