Arbana: 14 gra të vrara brenda këtij viti, grave të dhunuara u jepet lëmoshë, strehimi një kalvar

Dhuna kundrejt grave është kthyer në  fenomen shqetësues në vendin tonë. I tillë është rasti i fundit i Fierit,  ku burri ekzekutoi ish-gruan, Sabrina Bengaj 23 vjeç në banesën e prindërve të saj më 10 shtator.

Aktivistja për të drejtat e grave, Sevim Arbana, thotë në "Ditë e Re" në Rtv Ora, se gjatë 2021 janë vrarë 14 gra në Shqipëri. Aktivistja shpreh shqetësimin për mos-zbatimin e ligjit për sa i përket mbrojtjes së grave ngas dhunuesit si dhe për  kalvarin e strehimit për gratë e dhunuara.

"Sot në 2021 në muajin e 9-të janë vrarë 14 gra. Ligji nuk zbatohet fare. Nuk  e kemi funksional. Kur flasim për dhunën duhet të gjejmë rrugët që gratë të dalin nga kjo dhunë. Dhe ne  nuk i kemi ende të qarta rrugët. Ende ne i japim grave një lëmoshë, që mund të hajë vetëm bukë dhe ujë çezme.35 mijë lekë të vjetra. Kalvari i strehimit është një kalvar tashmë i njohur.

Burokracia që kanë bashkitë për banesat sociale ose për bonusin e qirave të grave të dhunuara është skandaloz.E para është pak dhe e dyta bashkia mblidhet vetëm dy herë në vit për të dhënë këtë bonus, me një mal dokumentesh që këto gra duhet të kenë. Dhe më pas e marrin ose nuk e marrin në varësi të ecurisë së procedurav", shprehet Arbana.

Arbana thotë se edukimi është jetik për fuqizimin e grave për të fituar pavarësi financiare. Sipas saj, përgjegjësia më e  madhe për mbrojtjene grave i takon shtetit.

"Viktimat e dhunës vijnë nga familje të varfra. Pa një edukim pa një shkollim  nuk mund të kesh një punë dhe një pavarësi financiare. Përgjegjësia më e madhe i bie shtetit. Shteti ngre politika. Por edhe ne si organizata kemi përgjegjësi."

Aktivistja thekson problemin e funksionimit të policisë.

"Policia ka një problem shumë të madh. Në zonat e varfra por edhe në mes të Tiranës, polici i thotë gruas kur ajo denoncon dhunën: 'Pse çfarë do fitosh, e ke marrë parasysh çfarë do fitosh nëse do divorcohesh?',  ia presin kurajon, deri sa fenomeni agravohet.

Kur një grua merr urdhër mbrojtje, është luks për atë të shoqërohet nga një polic dhe të mbrohet. Policia e ka detyrim ta mbrojë."

Sevimi tregon se në vendin tonë mesatarisht në polici denoncohen 150 raste dhune.

"Po ti drejtohem policisë kemi mbi 150 raste denoncimesh në ditë. Vitin e kaluar 250 gra kanë marrë urdhër mbrojtje nga policia", thotë Sevim Arbana.

Na ndiqni çdo ditë në " Ditë e Re" nga e hëna në të premte në orën 07:00 deri 10:00 në ekranin e Rtv Ora, nën shoqërinë e Arjola Shehu dhe Arjon Muça./Ora News/