Përjashtimi i Berishës, Nesturi: Basha është treguar lider i dobët, por i jep fuqi posti si kryetar
Analisti Platon Nesturi i ftuar në studion e Ora News u shpreh se opozita vjen e copëzuar në këtë parlament. Zoti Nesturi përmendi jo vetëm marrëdhënien e ngrirë të PD me LSI, por edhe përçarjen brenda partisë.
Nesturi: "Opozita vjen në këtë parlament shumë e copëzuar, jo vetëm për faktin e marrëdhënies së PD-së dhe LSI-së, por edhe problematikat me të cilat po përcjell nga periudha post zgjedhore e deri në fillimin e sezonit të ri parlamentar."
Përsa i përket përjashtimit të zotit Berisha nga grupi parlamentar, Nesturi tha se ky ishte një ultimatum që vinte nga ndërkombëtarët.
Nesturi: "Ky ultimatum vinte nga faktorët ndërkombëtarë dhe që gjithsesi zhvillimet që do të kishte në PD vareshin edhe nga skenarët e ndryshëm nga qëndrimi që do të mbante kreu i PD-së. Skenarë të cilët do të ishin të ndryshëm nëse nuk do të mbahej një pozicion themi duke e mbrojtur Berishën dhe tjetra duke u shkëputur nga Berisha."
Sipas gjykimit të Nesturit Basha është treguar një lider i dobët, por posti i kryetarit të partisë i jep fuqi.
Nesturi: "Kemi të bëjmë me një aspekt tjetër, Basha është treguar një lider i dobët, një lider që nuk ka treguar forcë, gjithsesi elementi i të qenit kryetar partie është një element shumë i rëndësishëm dhe shumë i fuqishëm. Vetëm duke qenë kryetar partie ti mund të kesh fuqi shumë të mëdha."
Intervistoi Sonila Musai, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
