Tentoi të grabisë bankën, vodhi para nga marketi dhe disa celularë, arrestohet hajduti i rrezikshëm në Burrel

Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim për "Vjedhje" është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia e Matit.

I dyshuar si autor i 3 vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Burrelit, Bruno (M). Gjinaj, 33 vjeç, banues në Burrel u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar  “Filiali”.

Policia bën me dije se ky shtetas dyshohet se është autori i 3 vjedhjeve të ndodhura më parë dhe konkretisht:

Më datë 14.01.2020 ka tentuar të vjedhë një filial banke në qytetin e Burrelit.

Më datë 01.06.2020 ka vjedhur një shumë parash në marketin e një shtetasi.

Me datë 03.12.2020, ka vjedhur disa telefona celularë në një kompani celularësh.

Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me Burg".

Policia vijon punën për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprën penale “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë./OraNews/