Të papunë dhe me shumë kredi

Viti 2021 ka nisur i mbarë për ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë raporton për një rritje prej 5.5 për qind të saj e cila u nxit si nga konsumi ashtu dhe nga investimet e rritja e eksporteve

Por pavarësisht se biznesi po rimëkëmbet punësimi mbetet një sfidë e vështirë. Shkalla e papunësisë nga janari deri në mars u rrit me 11.9 për qind. Madje dhe politikat për shtesat në pagë janë të zbehta.

Banka e Shqipërisë shprehet besimplotë se ritmi i rritjes do të vazhdojë të jetë i lartë kjo edhe për shkak të rritjes së kredive.

Në raport shtohet se kreditimi i sektorit privat u rrit mesatarisht me 7.7% në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Përmes tyre janë financuar si bizneset por edhe familjet që kanë rritur blerjen e banesave. Interesi mesatar për bizneset rezultoi 5.4%, nga 5.8% që ishte më parë  për  kreditë  deri  në  35  milionë  lekë. Interesi për kreditë hipotekare ka shënuar një rënie të ndjeshme në 3.5%, nga 4.5% që ishte prej më shumë se një viti.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë shprehet se edhe kursi i këmbimit është shfaqur i qëndrueshëm, ndaj pret që interesat për kreditë të qëndrojnë në këtë nivel për tre deri në pesë vite.