Martini i lumtur për trofeun dhe pret përforcime. Brdariç: Një mësim për Vllazninë
Edi Martini nuk e fshehu gëzimin për fitoren në Superkupën e Shqipërisë, që për të dhe Teutën është trofeu i katërt në një vit kalendarik.
“Duke pasur këtë grup lojtarësh, që japin maksimumin në fushë dhe nuk e humbin asnjëherë kurajën, kam pasur njëkohësisht edhe garanci që do të bëjmë mirë e do të fitojmë trofe. Mënyra si luan skuadra është një garanci që trofetë do të vijnë. Duhet të them që nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, edhe pse fituam 3-0, por kemi ende shumë punë për të bërë, sepse kampionati do të jetë i fortë, por kjo ishte një lloj rritje besimi. Merkato? Nuk është mbyllur akoma, pasi presim një lojtar nesër dhe një tjetër deri më datën 5, kur edhe mbyllet merkatoja. Nuk më pëlqen të zbuloj emra, pasi negociatat nuk janë mbyllur”.
Në krahun tjetër, Brdariç pranoi humbjen por tha se Vllaznia krijoi raste për të shënuar dhe se në fund, ekipit do t’i shërbejë shumë ky mësim, shkruan Ora News.
“Mendoj se ekipi ishte konkurrues dhe shumë mirë fizikisht, por një humbje si kjo natyrisht që dhemb shumë.Është një mësim i mirë dhe duhet të mësojmë shpejt. Gabimet u takojnë ndeshjeve, por ne duhet ta përballojmë këtë dhe të provojmë të reagojmë për të ndryshuar situatën. Duhet të mësojmë të ringrihemi, pas çdo rënieje. Gabimet ndodhin njëherë në sezon, por për fat të keq ndodhi në Superkupë dhe u ndëshkuam. Shpresoj që të mos ndodhin më gjatë sezonit”, përfundoi trajneri i ekipit shkodran.
