Etiopia mund të shuhet si shtet nga lufta civile, shefi i OKB: Katastrofa po ndodh para syve tanë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka kërkuar angazhim maksimal nga aktorët ndërkombëtarë për të zgjidhur situatën në Etiopi. Vendi është përfshirë prej 10 muajsh nga lufta civile, dhe sipas zyrtarit të lartë një katastrofë humanitare po ndodh përpara syve tanë, teksa e ardhmja e atij shteti është në udhëkryq.

Konflikti i nisur 10 muaj më parë në rajonin Tigrei të Etiopisë ka marrë përmasa tejet serioze për situatën e brishtë ekonomike dhe politike të vendit.

Ka qenë vetë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që ka dhënë alarmin se e ardhmja e Etiopisë është në rrezik, ku mund të cënohet edhe situate rajonale nga konflikti i armatosur atje.

Ai bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, ndërsa i kujtoi komunitetit ndërkombëtar se një katastrofë humanitare po shpaloset përpara syve tanë.

Me mijëra qytetarë janë zhvendosur në rajone dhe shtete të tjera. Mijëra të tjerë kanë mbetur pa një strehë, ujë të pijshëm dhe ushqim për të ngrënë.

E ardhmja e Etiopisë është në udhëkryq për shkak të konfliktit të zgjeruar etnik, tha sekretari  Guterres.

Shteti i dytë më i madh në Afrikë, me një larushi grupesh etnike që e banojnë dhe besimesh fetare kaloi një luftë të mëhershme civile në vitin 1991.

Që prej asaj kohe vendi qeverisej nga një koalicion mbi baza etnike, dhe lëvizja e këtyre balancave solli që Etiopia të shkonte sërish në luftë civile në nëntor të 2020-ës.