Kina do përsosë marksizmin, Partia dhe Shteti tashmë identifikohen me Xi Jinpingun
Kina është një hap më afër që ta identifikojë jetën publike në shumë fusha me Partinë Komuniste Kineze dhe me drejtuesin e saj Shi Xhin Ping. Sipas udhëzimeve të reja, mendimi i udhëheqësit kinez do të jetë pjesë e kurrikulave mësimore që nga fillorja deri në universitet. Sipas ekspertëve kjo shërben për të kultivuar pasardhësit e socializmit.
Tashmë lideri kinez Shi Xhinping nuk është thjesht presidenti i Kinës, por edhe udhëheqësi ideologjik në shumë fusha për gjigantin aziatik.
Kina do ta bëjë ideologjinë politike të Presidentit Shi, pjesë të kurrikulës së saj kombëtare, njoftoi ministria e Arsimit.
"Kjo do të ndihmojë të rinjtë kinezë që të krijojnë mendimin marksist", njoftoi ministria në udhëzimet e reja.
Sipas ekspertëve të fushës, ideologjia politike e presidentit do të integrohet nga cikli fillor deri në universitet, ndërsa Partia Komuniste do të drejtotjë dhe konsolidojë rolin e saj në fusha të ndryshme të shoqërisë kineze.
Ministria tha në një deklaratë se kishte për qëllim "të kultivojë ndërtuesit dhe pasardhësit e socializmit me një bazë të gjerë morale, intelektuale, fizike dhe estetike", ku përfshihet kultivimi i shpirtit proletar dhe edukimi mbi sigurinë kombëtare.
Mendimi politik i presidentit Shi është përfshirë më herët në kushtetutën kineze, ndërsa botimet e shumta kanë sjellë përhapjen e idealeve komuniste kineze në të gjithë shoqërinë.
Sipas udhëzimeve të reja tashmë:
"Shkollat fillore do të përqëndrohen në kultivimin e dashurisë për vendin, Partinë Komuniste dhe socializmin. Në shkollat e mesme, fokusi do të jetë te ndihma ndaj nxënësve që të formojnë gjykimet dhe opinionet themelore politike, ndërsa në kolegj do të ketë më shumë theks në krijimin e të menduarit teorik".
Më herët kanë qenë dy udhëheqës të tjerë kinezë që e kanë njëjtësuar mendimin e tyre politik me partinë dhe kushtetutën e vendit, Mao Ce Duni dhe Ten Siao Pini.
Të huazuar nga komunizmi sovjetik, edhe Shqipëria kishte një formë të ngjashme të jetës politike gjatë diktaturës komuniste, por që rezultoi jofrytdhënëse për lirinë politike dhe intelektuale të qytetarëve.

