Kosova merr 35100 vaksina anti-Covid dhuratë nga SHBA, do presë edhe 465 mijë të tjera
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi sot se krahas 35 mijë e 100 dozave të vaksinës anti-Covid Pfizer që kanë ardhur sot nga SHBA-ja, do të vijnë edhe 465 mijë të tjera.
Në ceremoninë e organizuar, Kurti është shprehur falënderues ndaj programit COVAX dhe të gjithë atyre që po ndihmojnë Kosovën sa u përket vaksinave anti-COVID.
“Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme nga miqtë dhe solidaritetin nga të gjithë, veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë”, ka thënë Kurti.
Shefi i qeverisë së Kosovës po ashtu ka apeluar qytetarët që të respektojnë masat kundër koronavirusit.
“Ju lus të gjithëve të mbani maskat, mbani distancën fizike, higjienën dhe të shmangni grumbullimet në vende të mbyllura, në mënyrë që ta ulim numrin e infektimeve të reja. Të ruajmë jetën e secilit, të shmangim vdekjen si pasojë e COVID-19”, ka theksuar Kurti.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 20 gusht se katër persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 2.250 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë e infektimeve ditore që është regjistruar në Kosovë.
Prej 13 marsit 2020 deri më 20 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 125.348 me koronavirus, ku 2.307 persona kanë vdekur dhe 106.700
Raste aktive janë 16.341.
Që prej fundit të marsit të vitit 2021 deri më 20 gusht, në Kosovë 227.581 persona janë vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i dozave të administruara është 666.476.

