Kosova nis mësimin më 1 shtator, MASHT: Do përkrahim shkollat me maska dhe dezinfektues

Kosova po sigurohet që komunat e vendit të kenë gati masat dhe infrastrukturën e nevojshme për të filluar mësimin në klasa nga muaji i ardhshëm. Vaksinimi në masë i stafit dhe studentëve shihet si armë kryesore në betejën kundër Covidit-19.

Kosova planifikon nisjen e vitit të ri shkollor nga 1 shtatori, me gjithë infektimet e shtuara mes të rinjve dhe masat e shtrënguara prej pandemisë.

 “MAShT është duke i bërë të gjitha përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator. Në bashkëpunim e drejtoritë komunale të arsimit do të sigurohemi që shkollat t’i plotësojnë kushtet si nga ana infrastrukturore, në bazë të rekomandimeve të IKShP-së, po ashtu që edhe mësimdhënësit t’i kemi sa më shumë ta vaksinuar. MAShT do t’i përkrahë shkollat me maska dhe dezinfektuese, përmes kontratës, e cila është në proces të përfundimit.”

Zv.ministrja Edona Maloku-Berdyna, që drejton dikasterin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, apeloi të premten të ruhen ritmet e vaksinimit të dy javëve të fundit për ta bërë të sigurt kthimin e tyre në klasa.

Një ditë më parë, autoritetet vendore regjistruan 2,200 raste me Covid-19, nga të cilat rreth 200 të moshës 10-19 vjeç dhe 37 fëmijë nën 9 vjeç.

Numri i personelit arsimor të imunizuar arrin në 55 mijë, ndërsa rreth 30 mijë janë studentë.

“Numri i personelit arsimor të vaksinuar bashkë me stafin është 55 mijë e.. 94 të vaksinuar. Siç janë deklaruar kur e marrin vaksinën, të dhënat janë këto: arsimtarë janë 4 mijë e 595, drejtorë shkolle 291 persona, edukues fizik 215 persona, mësimdhënës 12 mijë e 352 persona, nxënës 717, profesorë 5 mijë e 1, punëtorë arsimi 2 mijë e 352, referentë 130, ndërsa studentë 29 mijë e 441. Nëse e krahasojmë këtë shifër totale me 2 javë më parë, tani kemi gjithsej 54 mijë e 94 persona të vaksinuar. Me fjalë të tjera, pothuajse është dyfishuar numri i të vaksinuarve gjatë dy javëve të kaluara.”

Ministria kosovare e Arsimit njoftoi se testi i sivjetëm i maturës do të mbahet më 28 gusht dhe më 8 shtator do të shpallen rezultatet.