Rriten importet nga Serbia në doganën e Kosovës
Kosova arkëton 31 % më tepër të ardhura në 8 muajt e pare të vitit krahasuar me 2020.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tregon se në periudhën janar-gusht 2021 janë mbledhur në total 819 milionë euro. Por deri në fund të vitit parashikon të mbledhë 1.3 miliardë euro.
“Për momentin që po flasim, ne kemi mbledhë 819 milionë euro, ku në krahasim me vitin e kaluar kur kishim të njëjtën periudhë kanë qenë 621 milionë euro ose 31 % më shumë. Por, viti 2020 ka qenë vit i pandemisë dhe krahasimi nuk mund të jetë edhe aq real kur ekonomia ka qenë e mbyllur," tha ai.
Shpresëdhënës për ekonominë e vendit pritet të jetë edhe rritja e eksporteve në 120 % për këtë vit.
“Sivjet kemi para për dallim nga vitet e fundit një rritje të eksporteve, i cili nënkupton që produktet e gatshme të cilat përfundojnë direkt tek konsumatori në të gjitha vendet e ndryshme të botës, prandaj kjo është ajo që ka ndikuar për më shumë të hyra për eksportuesit kosovarë. Eksporti i Kosovës është kryesisht në vendet e BE-së si në Gjermani dhe Zvicër, Britani e Madhe dhe ShBA," tha Stavileci.
Mirëpo, sipas Stavilecit krahas saj ka shënuar rritje edhe importi i mallrave nga Serbia viteve të fundit.
"Ka një kohë që ka rritje të importit nga Serbia, por mund të themi që disa produkte serbe vetëm se kanë humbur tregun në Kosovë,” pohon ai.
Masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 nuk pritet të kenë ndikim negativ në të hyrat e Doganës së Kosovës.
