Periudha e pandemisë rriti numrin e personave që vuajnë nga diabeti

Periudha e pandemisë ka rritur numrin e personave që vuajnë nga diabeti ose ka përkeqësuar gjendjen e atyre që vuanin prej kohësh.

Mjekja endokrinologe Luftime Brunga e lidh këtë situatë me përdorimin e kortizonëve si medikamente për coronavirusin.

"Trajtimi i personave që kaluan Covid ishte trajtimi me kortizonë, që është një ndër shkaqet që ka rritur rastet me diabet. Edhe stresi është një nga shkaqet kryesore të shpërthimit të diabetit ose të ndërlikimit të rasteve të cilat kanë qenë me diabet. Pas mbylljes që ndodhi këto raste që kanë qenë pre-diabetikë kanë kaluar në raste diabetikë, pra kemi pasur raste pafund," thotë mjekja.

Kjo rritje e numrit të pacientëve diabetik dhe pre-diabetik reflektohet edhe te vizitat që kryejnë mjekët. Në një ditë, kryen rreth 20 vizita, por të shumta janë edhe konsultat përmes celularit.

"Edhe në klinikë kemi pasur raste pafund të cilat janë paraqitur nga mjeku i familjes dhe kanë qenë raste diabet për herë të parë, por kemi pasur dhe raste të ndërlikuara. Kemi pasur më tepër vizitat me telefon, në klinikë kemi pasur 20-30 raste, ka pasur raste që ka pasur më shumë edhe më pak," tha mjekja.

Ekspertët e institutit të shëndetit publik kanë analizuar rezultatet që u bënë nga kontrolli bazë i shëndetësor, “Check-up” në rreth 1 mln kontrolle deri në vitin 2018, dhe rezulton se 1 në 4 të rritur ka nivel jo të shëndetshëm të sheqerit në gjak.

Numrin më të lartë të pre-diabetikëve dhe diabetikëve sipas numrit të popullsisë e mban Tirana, ndërsa me numrin më të ulët është Dibra.