Gjergji: Pandemia ka bërë që njerëzit të zbulojnë nëse janë të prekur nga diabeti
Periudha e pandemisë ka rritur numrin e personave që vuajnë nga diabeti ose ka përkeqësuar gjendjen e atyre që vuanin prej kohësh.
Kjo rritje e numrit të pacientëve diabetik dhe pre-diabetik reflektohet edhe te vizitat që kryejnë mjekët. Në një ditë, kryen rreth 20 vizita, por të shumta janë edhe konsultat përmes celularit.
Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News u shpreh se kortizoniët anë barna që përdoren rutinë në mjekësi, por gjatë periudhës së Covid-19 janë përdorur masivisht.
Gjergji: "Barnat kortizonikë janë barna që përdoren rutinë në mjekësi, por gjatë periudhës së Covid-19 janë barna që janë përdorur masivisht. Fatkeqësisht kemi pasur probleme me mënyrën e përdorimit të tyre, jo në rastet që ka pasur gabime në diagnozë, por sigurisht duke u përdorur kaq gjerësisht nga një numër kaq i madh njerëzish është e pritur që nga barnat të kemi dhe efekte anësore. Diabeti është një nga problemet bazë që lidhet me përdorimin e tepruar ndoshta në doza pak më të mëdha apo koha e marrjes, përdorimi i kortizonikëve mund të sjellë çrregullimin e sheqerit te diabetikët që janë të njohur."
Rritja e numrit të personave me diabet nuk lidhet vetëm me pandeminë, sipas zotit Gjergji. Sipas tij një pjesë e mirë e personave kanë qenë diabetikë, por nuk e kanë ditur dhe ka qenë pikërisht pandemia e cila i ka ndihmuar që ta zbulojnë.
Gjergji: "Epidemia është shkaku kryesor mendoj që ka ndikuar në shtimin e diabetikëve, por ajo që unë kam vënë re është se popullata në dy vitet e fundit ka qenë më e ndërgjegjësuar në raport me shëndetin. Duhet të pranojmë që një pjesë e mirë e këtyre personave kanë qenë diabetikë por nuk e kanë ditur dhe le të them ka shërbyer ky moment për të marrë vesh që sëmundja është."
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
