Obeziteti/ 3 në 4 të rritur janë mbipeshë: Jeta pasive dhe kequshqyerja shkaktarët kryesorë

Për të treguar shqetësimin global nga obeziteti, për këtë sëmundje po përdoret edhe termi Globezitet.  Situata po fillon të bëhet shqetësuese edhe një Shqipëri, ku rezulton se 3 në 4 të rritur janë mbipeshë.

 Sipas nutricionistes Diola Dosti angazhimi në punë dhe aktivitet të tjera gjatë ditës, i bëjnë shqiptarët të keq-ushqehen, çka sjell më pas dhe problemet me mbipeshën.

"Deri diku janë shifra të pritshme për mendimin tim sepse sot shohim që njerëzit kryesisht bëjnë një jetë shumë sedentare që do të thotë bëjnë një jetë pasive. Ne kryesisht jemi të ulur në  zyrë, nga shtëpia deri në zyrë mund të shkojmë me makinë, pastaj në shtëpi jemi përpara kompjuterit, televizorit ose me telefon nëpër duar," tha Dosti.

 Nuk mbeten jashtë vëmendjes as fëmijët të cilët kryesisht duke u nisur nga regjimi jo i shëndetshëm ushqimor i prindërve, priren të hanë keq.

"Prindërit sado që të përpiqen për fëmijët e tyre nuk mund t'i japin fëmijëve një supë me spinaq dhe vetë të hanë makarona ose të hanë pica. Fillimisht mendoj që duhet bërë që unë e konsideroj si edukimi i frigoriferit. Pra familja është ajo që duhet të ndërgjegjësohet," tha Dosti.

 Mungesa e kulturës për tu ushqyer me produkte që nuk janë të stinës dhe konsumimin e ushqimeve të shpejta jot ë shëndetshme, rrezikojnë secilin  prej nesh. 

"Mëngjesi të konsumohet rregullisht. Fillohet me lëngun e selinosë, pastaj pas 30 minutash mund të hajë ndonjë vezë të zjerë. Pjesa e drekës konsumohet pak më vonë, diku nga ora 15:30- 16:00. Pjesa e darkës mos jetë pas orës 19:00," tha Dosti.

 Vakti i mëngjesit dhe ai i drekës nuk duhet të neglizhohen, ndërsa kujdes duhet të bëhet me konsumimin e darkës.