Shifrat e infektimeve u rritën ndjeshëm, Kosova rikthen masat kufizuese nga 20 gushti

Kosova do të rifillojë kufizimet sociale dhe do të rikthejë me detyrim maskat nga data 20 gusht.

Situata epidemiologjike është përkeqësuar këtë muaj, me mbi 2,000 të infektuar të rinj me covid-19 brenda ditës së mërkurë.

Në bilancin e përgjithshëm të viktimave u shtuan edhe katër qytetarë.

“Në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah mbi të gjitha shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës. Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat e tjerë. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë. Nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik pa maskë, edhe pse kjo ka qenë nga masat paraprake, por tani do të rritet mbikëqyrja dhe monitorimi. Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë, ku do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit, testi negativ," tha Vitia.

Me vendim të qeverisë kosovare, të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit ose një test negativ Covid.

Vaksinimi mbetet jo i detyrueshëm, por kryeministri Albin Kurti tha gjatë mbledhjes së kabinetit se vaksinat e kanë treguar efikasitetin e tyre ndaj variantit Delta që po dominon në vend.

“Përkundër asaj se vaksinimi po shkon mirë, e kemi të detyrueshme që të marrim masa të reja, të cilat do ta ngadalësojnë ritmin e infeksioneve dhe në këtë mënyrë ta ruajmë shëndetin publik. Distanca fizike, e maskat, e higjiena personale është e domosdoshme, por detyrë mbi detyrat për të gjithë neve si qytetarë të përgjegjshëm është vaksinimi. Vaksina ka, mund të zgjidhet lloj i saj, vetëm se duhet të merret. Pra, nuk kemi të vdekur nga varianti delta që paraprakisht janë vaksinuar. Ata që janë vaksinuar, po, ka raste të tilla kur janë infektuar me versionin delta, mirëpo e kanë kaluar shumë me lehtë," tha Kurti.

Në spitalet e përgjithshme të Kosovës si edhe në klinikat për trajtimin e koronavirusit, janë shtruar 575 pacientë, prej tyre 80 për qind me Covid.

Mbi 400 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi ndërsa Ministria e Financave konfirmoi të mërkurën edhe rritjen e personelit shëndetësor me 1,116 punonjës shtesë për pandeminë dhe procesin e imunizimit në 3 muajt e ardhshëm.