“Janë skena që të thyejnë zemrën”! Osmani për BBC: Edhe unë kam qenë refugjate, Kosova i pret afganët me zemërgjerësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka thënë se Kosova me zemërgjerësi po pret refugjatët afganë, duke përmendur se edhe vetë ajo ka qenë refugjate dhe se e ndjen këtë situatë.

“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe e ndjejmë këtë çdo ditë. Unë mund të them se asnjë nuk do ta lërë shtëpinë e tij, deri në momentin që janë të rrezikuar nga dhuna dhe terrori siç mund ta shohim në Afganistan”, tha Osmani.

Numri i saktë i afganëve që do të vijnë në Kosovë ende nuk dihet, ndërsa presidentja Osmani tha se kjo ende do të diskutohet.

“Ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata," tha Osmani.

Ajo tha se nëse shtete nuk punojnë së bashku nuk do të ketë sukses.

“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të kemi sukses. Në rastin e Kosovës vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s ishin së bashku arritën ta mposhtin regjimin e Millosheviçit dhe të sillnin paqe," tha Osmani.

Osmani shtoi se "askush nuk po largohet sepse do, po largohen sepse janë të dëshpëruar" dhe për këtë arsye Osmani po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha qeverive demokratike që t’ia zgjasin dorën afganëve njësoj siç ia zgjatën Kosovës.

"Nëse Kosova, një vend i vogël në Ballkan mund ta bëjë, të gjithë vendet e tjera mund ta bëjnë. Ne thjesht duhet të tregojmë zemrën tonë të madhe," përfundoi Osmani.

Linku i intervistës së plotë