Afganistan, 1 në 3 qytetarë përballë krizës ushqimore

Një në tre qytetarë rrezikojnë të ballafaqohen me  krizën ushqimore në Afganistan, për shkak të kryengritjes së grupit ekstremist taliban dhe ndryshimit të klimës, sipas zëdhënëses së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) Mary-Ellen McGrawy.

Nëpërmjet një bisede telefonike me agjencinë e lajmeve franceze në Kabuli, zyrtarja shpjegoi se ajo dëshiron të qëndrojë në vend dhe të vazhdojë veprimtarinë e Programit Botëror të Ushqimit, për të mbështetur popullatën, që preket më shumë nga kryengritja e talibanëve.

"Përveç konfliktit, popullsia afgane tashmë po përballet me një krizë të rëndë ushqimore dhe 2021 është një vit jashtëzakonisht i vështirë",  tha McGrawy.

Përveç pasojave ekonomike të pandemisë, "vendi po përballet me një krizë të dytë, në tre vite, të thatësirës në vend. Ata vuajnë ende pasojat thatësirës së viteve 2017/2018," tha ajo.

"Ka një ulje prej 40% të korrjes së grurit, rezultat i një prej dimrave më të thatë në 30 vitet e fundit. Kishim shumë pak borë këtë vit në Kabul," shtoi zëdhënësja.

"Situata është përkeqësuar nga konflikti në vend, pasi fermerët nuk mund të korrin  dhe kanë ikur nga shtëpitë e tyre, ndërsa pemët janë dëmtuar. Në kohë paqeje, vendi ishte i famshëm për arrat dhe mishin e tij  të shijshëm, veçanërisht për shegët.

Shkatërrimi i infrastrukturës, siç janë urat, digat, rrugët, gjithashtu ka vënë në rrezik aksesin në ushqim," tha këshilltarja e programit të OKB -së.

"Programi Botëror i Ushqimit, Kombet e Bashkuara dhe sistemi humanitar janë të vendosur të qëndrojnë dhe të japin përgjigjen e nevojshme humanitare," tha ajo, duke shtuar se Programi Botëror i Ushqimit synon të ndihmojë 9 milionë afganë deri në fund të vitit. Agjencia vlerëson se nevojiten urgjentisht 200 milionë dollarë për ta bërë këtë.

Kjo ndihmë është edhe më kritike, sepse situata mund të përkeqësohet në muajt e ardhshëm: "Ne kemi dimra të ashpër në Afganistan. Kur bie borë, komunitete të shumta, në zona të shumta, janë të izoluara. Prandaj ne duhet të zhvendosim rezervat e ushqimit në këto zona para se të vijë dimri."