Zjarret po djegin veriun, vatra aktive në pyjet e Kukësit, Pukës, Lezhës dhe Dibrës

Mbetet problematike situata e krijuar nga zjarret në veri e verilindje të vendit, ku edhe këtë të dielë, disa vatra janë jashtë kontrollit.

Ndërkohë 25 persona janë arrestuar deri më tani për zjarrvënie të qëllimshme.

Në Kukës mbetet janë aktive disa vatra, ku më problematika mbetet ajo në Majën e Rrunës, ku flakët vijojnë të përhapen, pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe ajri.

Situata është përkeqësuar në fshatin Thirrë, ku deri më tani janë djegur mbi 200 ha sipërfaqe dhe zjarri mbetet jashtë kontrollit.

Zjarri I nisur prej një jave në Patalej të Lezhës tashmë është shtirë edhe në territorin e Mirditës, dhe për të vënë flakët nën kontroll, pritet ndërhyrja me helikopterë.

Prej tre ditësh Mali i Tërbunit në Pukë vijon të digjet.

Zjarri në këtë zonë është aktiv në një vijë lineare prej 3 km.

Sipas bashkisë së Pukës, puna është përnderuar për të vënë nën kontroll flakët që po përhapen në vendin e quajtur Fushë Kumulli.

Aktualisht atje punojnë ushtarë dhe zjarrfikës.

Në Dibër, zjarri në Kacni të Selishtës doli dje jashtë kontrollit, ndërsa vijon të përhapet edhe vatra në Selishtë.

25 persona janë arrestuar, 26 po hetohen në gjendje të lirë dhe 5 persona janë shpallur në kërkim prej 25 korrikut, për zjarret që deri më tani kanë djegur mijëra hektarë pyje e toka në gjithë vendin.