Afganët në Shqipëri, Rama: E propozova unë në samitin e NATO-s, padiskutim nuk do të them jo
Kryeministri Edi Rama bën të ditur se ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar shtetas të Afganistanit që do të evakuohen, pas mësymjes se forcave talebane. Në një deklarate të publikuar në profilin e tij zyrtar ne FB, Rama i përgjigjet edhe reagimeve te qytetareve në rrjetet sociale, duke u thënë se kritikat e tyre nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tij e të shumicës qeverisëse .
“Ka nisur të hidhet përpjetë llumi njerëzor i rrjeteve sociale, me sharjet e mallkimet e shqipes së vet bazike me 100 fjalë - edhe ato të shkruara për ibret - me të cilat mbron me zjarrin e padijes detin nga greku, dheun nga serbi, ajrin nga armiku imagjinar i radhës, duke shpërfaqur krejt egërsinë e injorancës, në emër të një kinse patriotizmi mu si ai i talebanëve, të cilët tjetrin, të ndryshmin e këdo mendon si ai, e konsiderojnë një armik që duhet asgjësuar, sakatuar e poshtëruar, vetëm pse as nuk është i verbër si ata, as nuk friket nga helmi i kafshimit të tyre”.
Kryeministri i Shqipërisë thotë se e ka propozuar vete më herët, idenë për strehimin e afganeve, ndërsa i bën thirrje edhe qeverisë së Kosovës të veprojë në të njëjtën linjë nëse ka një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara
“Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre. Kjo është bindja ime, jo vetëm si njeri i një populli që ka shpëtuar hebrenjtë nga nazistët e shekullit të XX, po edhe si kryeministër i një vendi që i njeh mirë të dyja anët e medaljes, qoftë kur të lënë vetëm në duart e një regjimi xhelatësh në atdheun tënd, qoftë kur kërkon një jetë të re si i huaj në vendet e të tjerëve”.
Në këtë deklarate Rama pranon se ka marre një kërkesë nga qeveria amerikane për afganët, dhe vlerëson se Shqipëria veç përgjigjësive qe ka si vend aleat i NATOs, e cilëson si detyrim strehimin e tyre, duke kujtuar të shkuarën e eksodit.
“ Ne nuk jemi të pasur, por s'jemi as pa kujtesë, as pa zakone, as pa moral dhe është në nderin tonë t'u gjendemi të tjerëve, siç të tjerë na janë gjendur ne, po sidomos të mos u kthejmë kurrizin hallexhinjve të huaj, siç shpesh na e kthyen ne dikur, kur ishim të huaj hallexhinj.”
Qeveria shqiptare ende nuk ka bere te ditura detaje për mënyrën dhe kapacitetet qe disponon për strehimin e afganeve, qe do të qëndrojnë në vendin tonë tranzit derisa te zhvendosen në Shtetet e Bashkuara. Lajmi për negociatat mes Uashingtonit dhe Tiranes zyrtare u publikua të premten nga agjencia Reuters.

