Tender me porosi në kryeqytet, "Tirana Parking" në varësi të bashkisë vendos kritere që kufizojnë konkurrencën për biletat

Denoncimet për tendera pa garë në bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në sjelljen e drejtuesve të kryeqytetit.

Madje dhe në komisionin e prokurimeve publike nuk kanë ndalur akuzat për vendosjen e kritereve që sjellin uljen e konkurrencës prej enteve të pushtetit vendor në kryeqytet.

Një i tillë është regjistruar së fundi dhe në blerjen e një milion e treqind e pesëdhjetë mijë copë Bileta Elektronike të tipit “fanfold”. Procedura ka një fond limit prej rreth 3 milionë  557 mijë lekësh.

"Tirana parking" ndër kriteret e vendosura për pjesëmarrësit në garë ka vendosur dhe paraqitjen e 5 mijë biletave që do të përdoren si test.

Ky konsiderohet si abuzim prej palëve të interesuara, pasi pjesëmarrësi që mund të humbë garën do të ketë dhe humbje në koston e prodhimit të tyre.

Dokumenti i publikuar në KPP paraqet një ankesë të dorëzuar ku ndër të tjera ngrihet shqetësimi për mungesën e garës pikërisht nga kushtet e tepruara.

Madje si zgjidhje propozohet  që biletat që do të përdoren si provë të mos jenë më shumë se 100, një numër ky i përballueshëm e që nuk sjell kosto të madhe.

Paralelisht ankesa dhe propozimi për të krijuar një garë të barabartë i është dërguar edhe "Tirana Parking."

Tashmë do të jetë KPP që do të vendosë për ndryshimin e kritereve dhe një garë të hapur apo do të mbështesë kriteret e "Tirana Parking."