Zjarret shkatërruese në Greqi, emërohet ministër i ri për pasojat dhe rimëkëmbjen e natyrës
Kryeministri grek Kiriakos Micotakis ka caktuar një ministër të ri në kabinet që do të merret posaçërisht me pasojat e zjarreve masive që përfshinë fqinjët tanë.
Flakët që përfshinë Greqinë për ditë të tëra janë ndër më katastrofiket ndër dekada.
Qytetarët grekë janë tejet të revoltuar me menaxhimin që qeveria i bëri situatës me zjarret në vend, ndërsa nuk kanë munguar edhe kritika të forta nga opozita.
Mijëra hektarë pyje të djegur, qindra banesa të shkatërruara dhe miliona euro dëme kanë lënë pas zjarret masive në Greqi.
Qeveria ka premtuar një paketë ndihme prej 500 milionë eurosh për të gjithë të prekurit nga zjarret, ripyllëzim të zonave dhe reforma sektoriale për parandalimin e fatkeqësive të tjera të ngjashme.
Ishte vetë kryeministri Micotakis që do të kërkonte falje publikisht për vonesat në përgjigje ndaj fatkeqësisë natyrore që kaploi vendin fqinj.
Imazhet e flakëve e ishullit Evia, heroizmi i zjarrfikësve, ushtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë në betejë me zjarret bënë xhiron e tyre anekënd botës.
Por do të ishte dora e Zotit, shiu i së enjtes, që do të sillte edhe fikjen e vatrave të zjarrit në ishullin Evia, i dyti më i madh në vend. Situata paraqitet më e qetë këtë të premte.
