BE-ja për "Open Balkan": I mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal

BE-ja për "Open Balkan": I mirëpresim angazhimet e

Nisma trepalëshe për të shtyrë më para idenë e Minishengenit Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut, “Open Balkan” prej disa javësh është kthyer në mollë sherri mes Prishtinës dhe Tiranës për shkak të refuzimit të Kosovës për përfshirje.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, thotë se “Open Balkan” është tendencë e Vuçiçit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës, si dhe oligarkëve e kriminelëve të luftës.

Por cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me “Open Balkan” dhe a duhet që edhe Kosova të bashkohet në këtë iniciativë?

Përgjigjen lidhur me këtë për Gazetën Express e ka dhënë Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Ajo ka thënë se BE-ja i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal, derisa e thekson rëndësinë thelbësore të gjithë-përfshirjes.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero.

Ajo në fund ka thënë se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.