Sulm me armë në Angli, raportohet për disa të vdekur
Një sulm me armë ka ndodhur në Plymouth, Angli. Sky News raporton për disa të vdekur, ndërsa nuk ka një shifër të saktë viktimash.
Një prej autorëve të përfshirë në incident është qëlluar dhe besohet se ka vdekur, raporton Sky News.
“Policia u thirr në një incident serioz me armë zjarri në Biddick Drive, në zonën Keyham të Plymouth rreth orës 18:10 sot. Oficerët dhe stafi i ambulancës shkuan menjëherë. Ka pasur një numër viktimash në vendngjarje dhe disa të plagosur po marrin trajtim,” tha policia Devon dhe Cornwall në një deklaratë.
"Zona është rrethuar dhe policia beson se situata është nën kontroll."
Sekretarja e Brendshme Priti Patel shkroi në Twitter: "Incidenti në Plymouth është tronditës dhe mendimet e mia janë me të prekurit. Unë kam folur me shefin e policisë dhe kam ofruar mbështetjen time të plotë."
Media britanike raporton se për momentin nuk ka një numër të konfirmuar të viktimave.
Sipas policisë ngjarja nuk raportohet si terrorizëm, por nuk dihet shkaku i sulmit, shkruan Sky News.
